Tetova News

Këshillat, 6 mësimet që duhen ditur për paranë

Me siguri që ti e di se çfarë është paraja; përmes saj ne të gjithë dimë se sa kushtojnë gjërat. Përveç kësaj, ti ke përdorur para m...



Me siguri që ti e di se çfarë është paraja; përmes saj ne të gjithë dimë se sa kushtojnë gjërat. Përveç kësaj, ti ke përdorur para më se një herë për të blerë qumësht apo gazetën e babait. Nëse ke pasur para të tuat, do të kesh pyetur veten se çfarë mund të bësh me to: t’i harxhosh menjëherë apo t’i rezistosh tundimit dhe t’i ruash në arkën tënde të kursimit që, më vonë, të blesh diçka që kushton më shumë, si për shembull një video-lojë. Siç e sheh, paraja kryen tre funksione:

Njësi matëse: Përcakton çmimet e produkteve dhe shërbimeve
Është e vështirë të shesësh e të blesh pa ditur më parë se sa kushtojnë produktet. Këtë funksion të rëndësishëm e kryen paraja. Falë saj ne dimë se sa kushton video-loja që na pëlqen dhe mund të kuptojmë nëse është e lirë apo e shtrenjtë. Falë parasë ne mund të blejmë sende të ndryshme dhe të përfitojmë shërbime. Çmimet shprehen në monedhën e secilit vend. Në Shqipëri monedha vendase është Leku. Kështu, edhe çmimi i video-lojës, në çdo dyqan të vendit tonë, do të jetë në lekë. Por, nëse video-lojën do të duash ta blesh në një nga ato vende të Bashkimit Evropian të cilat kanë si monedhë të tyren euron, do të të duhet ta paguash në këtë monedhë. Në Sh.B.A, çmimi do të jetë në dollarë amerikanë dhe në Japoni, në jen. Në të gjitha këto raste, ty do të të duhet që të llogarisësh nëse video-loja është më e shtrenjtë në lekë, euro, dollarë apo jen… E vështirë apo jo?

Mjet shkëmbimi: Blen produkte dhe paguan shërbime
Kartëmonedhat dhe monedhat e çdo vendi shërbejnë për të blerë produktet dhe shërbimet që na nevojiten. Avantazhi kryesor i monedhës zyrtare qëndron në faktin se të gjithë janë të detyruar ta pranojnë në shkëmbim të një shërbimi apo produkti Ruajtëse e vlerës: Kursen sot, për të blerë ose investuar nesër Nëse ke vendosur të kursesh para në arkën tënde të kursimit apo në bankë, është shumë e rëndësishme që çmimet e produkteve të mos rriten shumë. Nëse ndodh kjo, sado që të kursesh, nuk do të mund të grumbullosh kurrë paratë e nevojshme për të blerë ato që të nevojiten. Për këtë është e nevojshme që vlera e parasë të jetë sa më e qëndrueshme, që do të thotë që çmimet e produkteve dhe shërbimeve të mos rriten e rriten pa pushim. Kur kjo ndodh, ne themi se ka inflacion. Kur në një vend ka inflacion të lartë, familjet varfërohen, pasi rritja e vazhdueshme e çmimeve nuk i lejon që me paratë e tyre të blejnë mallrat për të cilat kanë nevojë. Dhe përgjithësisht, është detyra e bankave qendrore të luftojnë kundër inflacionit. Ato përpiqen të mos lejojnë rritjen e përgjithshme të çmimeve, në mënyrë që paratë e qytetarëve të mos e humbasin vlerën e tyre. Kur qytetarët kanë besim në vlerën e monedhës së tyre, pra kur nuk kanë frikë se paraja do ta humbasë vlerën, ata vendosin më mirë se çfarë do të bëjnë me paratë e tyre në të ardhmen.

Shkëmbimi i një malli me një tjetër 
Shkëmbimi është një shpikje shumë, shumë e lashtë. Njerëzit shkëmbejnë produktet që i teprojnë, me produkte të tjera që i nevojiten apo i dëshirojnë. Kjo ngjan të jetë diçka argëtuese, por pa mendo një situatë si kjo e mëposhtmja: Një rritës delesh shkon në një treg të vogël për të dhënë një nga delet e tij në këmbim të miellit. Por mullixhiu nuk pranon të bëjë shkëmbimin; miellin e tij dëshiron ta shkëmbejë me një copë pëlhure me të cilën do të qepë një veshje të re. Kur këta të dy pyetën endësen e pëlhurave nëse dëshironte të shkëmbente pëlhurën e saj me thesin e miellit apo me delen, ajo nuk pranon. Endësja kishte dalë në treg për të kërkuar një mekanik që t’i rregullonte tezgjahun, por mekaniku kishte nevojë për dru zjarri që të ngrohej gjatë dimrit, kështu që në këmbim të punës të tij nuk pranonte të paguhej me pëlhurë. Siç e shikoni, që të realizohet shkëmbimi, është e nevojshme që dikush të dëshirojë të shkëmbejë mallin që ti ke, me mallin që të duhet. Por edhe nëse dikush është i gatshëm ta bëjë këtë shkëmbim, ty të duhet të dish se sa vlen ajo çfarë ti ke (në rastin e fshatarit tonë, delja) krahasuar me një sërë mallrash të tjera si për shembull: mielli, pëlhura, druri i zjarrit … Pra fshatari ynë, sa herë shkon në pazar duhet të dijë se sa thasë miell bën delja; sa metra pëlhurë; sa dru zjarri, e kështu me radhë.

Dhe kështu u krijua paraja…
Dikujt i lindi ideja që duhej gjetur një mjet shkëmbimi që do të pranohej nga të gjithë në shkëmbim të produkteve të tyre. Dhe kështu u krijua paraja…

Monedhat e para
Paraja nuk ka pasur që në fillim formën që ka sot. Në fillim janë përdorur sende të veçanta për shkëmbim si guaska, kripa etj. Me kalimin e kohës filloi të përdorej ari dhe argjendi. Meqenëse këto metale janë rezistente, të ndashme dhe jetëgjatë, ato vlerësoheshin nga të gjithë. Sipas historianit Herodot, monedhat e para prej ari dhe argjendi u prodhuan nga banorët e lashtë të Anadollit Lindor (zona e Izmirit të sotëm, në Turqi) gjatë shekullit VII para erës sonë. Ato vërtet ishin më të lehta për t’u numëruar dhe transportuar sesa lingotat e arit, por megjithatë, kishin dy probleme kryesore: peshonin shumë dhe vidheshin lehtësisht nga hajdutët.

Kartëmonedhat e para
Në shekullin XI tregtarët venecianë që nuk dëshironin të mbanin me vete të gjitha monedhat e tyre të arta, filluan t’i linin ato në bankë. Në këmbim, banka u jepte atyre letra (dëftesa) në të cilat shënohej sasia e monedhave që ata kishin. Këto letra ishin shumë të nevojshme për tregtinë sepse banka premtonte që do t’i jepte sasinë e arit të shënuar në to, cilitdo që i zotëronte këto letra. Tregtarët filluan t’i përdorin këto letra për të paguar mallra të ndryshme dhe kështu lindi kartëmonedha. Në ditët tona, bankat qendrore janë të vetmet që, sipas ligjit, mund të emetojnë monedhën dhe kartëmonedhën. Deri në shekullin e kaluar, këto banka emetonin aq kartëmonedhë, sa ishte vlera e arit që ruanin në arkat e tyre.

Historia e parasë në Shqipëri
Në vendin tonë prerja (shtypja) e monedhave e ka zanafillën që në shekullin e IV p.e.s në Dyrrah (Durrësi i sotëm) dhe Apoloni (Pojan i Fierit), ku qytete të ndryshme në Iliri kishin monedhën e tyre. Në shkurt të vitit 1926, u bë edhe qarkullimi i monedhës së parë kombëtare shqiptare, të emetuar nga Banka Kombëtare e Shqipërisë (sot Banka e Shqipërisë). Si njësi monetare zyrtare u caktua frangu ar. Monedha jonë kishte nënfishat (leku, qindarka
- 1 franga ar ishte baras me 5 lekë dhe 100 qindarka) dhe shumëfishat e saj (5, 20 dhe 100 franga ar).Ndërsa që prej vitit 1947, njësia monetare në vendin tonë është Leku.

Kartëmonedhat
Aktualisht në qarkullim janë pesë kartëmonedha të prerjeve 200, 500, 1000, 2000 dhe 5000 lekë, me vite të ndryshme emetimi (*Me emetim, ne kuptojmë prodhimin e kartëmonedhës dhe gatishmërinë e saj për nxjerrjen dhe/ose hedhjen në qarkullim, pra kur themi për shembull: emetim i vitit 2007, kjo nënkupton që kartëmonedha është shtypur në këtë vit). Forma, përmasat dhe figura e të gjitha monedhave që shikoni më sipër, por edhe ato që mund të keni parë më parë dhe që sot nuk gjenden më në qarkullim, përcaktohen nga Banka e Shqipërisë. Siç e dini, kartëmonedha është një letër në formë drejtkëndore, e stampuar si në pjesën e përparme dhe në atë të pasme. Lloji i letrës me të cilën prodhohen kartëmonedhat është krejt i veçantë pasi në përbërje të saj ka përqindje të lartë pambuku. Në të dyja anët, është e shënuar në mënyrë të dukshme vlera e kartëmonedhës e shprehur me shkronja dhe me shifra, si dhe emri i monedhës: Lekë. Në përgjithësi, në pjesën e përparme të kartëmonedhave shqiptare janë ilustruar figura të shquara historike dhe kulturore, të cilat janë zgjedhur në mënyrë të tillë që secili të përfaqësojë një nga periudhat e zhvillimit të historisë së popullit tonë, si për shembull: Mbreti Gent, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Pjetër Bogdani, Naim Frashëri, Ismail Qemali etj.; ndërsa në pjesën e pasme janë pasqyruar ndërtesa dhe monumente arkitekturore me rëndësi.

Monedhat
Monedhat metalike mund të të bien më shpesh në dorë, për këtë arsye ti mund t’i njohësh më mirë ato krahasuar me kartëmonedhat. Por a i njeh me të vërtetë të gjitha?

Karakteristikat dhe elementet e sigurisë së kartëmonedhave
Kartëmonedhat shqiptare prodhohen me teknologji tepër moderne. Për t’i mbrojtur ato nga falsifikimi përdoren elemente të përparuara sigurie. Kështu, nëse dëshiron të dallosh kartëmonedhat e vërteta nga ato të falsifikuara duhet të njohësh më parë elementet e sigurisë dhe të tregohesh gjithnjë i vëmendshëm ndaj tyre. Të dallosh një kartëmonedhë të vërtetë nga një e falsifikuar nuk është shumë e vështirë. Elementi më i dallueshëm i sigurisë që gjendet në çdo kartëmonedhë është filli i sigurisë. Megjithatë, nëse ti ke dyshime për vërtetësinë e një kartëmonedhe, duhet që domosdoshmërish të kontrollosh elementet e sigurisë, duke pasur parasysh që tre mënyrat më të thjeshta për ta bërë këtë janë:
• nëpërmjet të prekurit të kartëmonedhës
• nëpërmjet shikimit të saj përballë dritës
• nëpërmjet rrotullimit të kartëmonedhës.

Prekja e kartëmonedhës
Letra me të cilën bëhen kartëmonedhat është më rezistente sesa letra e zakonshme dhe nëse e prek, do të ndiesh që sipërfaqja e saj nuk është e lëmuar, por me reliev në disa pjesë të saj.

Falsifikimi i kartëmonedhave
Me falsifikim do të kuptojmë prodhimin e monedhave dhe kartëmonedhave nga një person apo organizatë e ndryshme nga Banka e Shqipërisë, e cila është institucioni i autorizuar me ligj për këtë funksion. Përgjatë historisë janë falsifikuar jo vetëm paratë, por edhe piktura, bizhuteri, bileta lotarie, karta krediti, e shumë e shumë objekte me vlerë. Kuptohet që sa më shumë vlerë të ketë diçka, aq më shumë falsifikatorët do të mundohen ta falsifikojnë atë. Pikërisht, për këtë arsye kartëmonedhat falsifikohen shumë më tepër sesa monedhat metalike, prandaj edhe koncepti i falsifikimit lidhet më shumë me kartëmonedhat se sa me monedhat.

Falsifikimi
Qëllimi i falsifikatorëve është të mashtrojnë të tjerët për t’u pasuruar në mënyrë të padrejtë. Për këtë arsye, falsifikimi i parasë është krim dhe për të dënohesh me burg. Për prodhimin e kartëmonedhave tona përdoren teknika shumë të përparuara, të cilat e vështirësojnë ose e bëjnë gati të pamundur falsifikimin e tyre. Përveç kësaj, Prokuroria dhe Policia e Shtetit luftojnë që falsifikimet të mos ndodhin.

Lufta kundër falsifikimit
Niveli i falsifikimit të parasë sonë është i ulët, kjo falë edhe teknikave të fabrikimit të kartëmonedhave shqiptare. Megjithatë është shumë e rëndësishme që të gjithë ne të njohim elementet e sigurisë të kartëmonedhave dhe t’i kontrollojmë ato në kartëmonedhat që na duken të dyshimta. Në këtë mënyrë, ne jo vetëm që nuk jemi bërë pre e mashtrimit, por kemi ndihmuar sadopak në luftën kundër falsifikimit të parasë.

Mirëmbajtja e kartëmonedhave
Materiali me të cilin prodhohen kartëmonedhat është vërtet rezistent, por nëse nuk përdoren me kujdes e në mënyrën e duhur ato mund të dëmtohen aq shumë, sa të humbasin funksionin e tyre dhe Bankës së
Shqipërisë do t’i duhet ti zëvendësojë ato me kartëmonedha të reja. Për shkak se kartëmonedhat përdoren përditë dhe, shpesh, në mënyrë të pakujdesshme, disa kartëmonedha humbasim karakteristikat dhe elementet e sigurisë. Arsyet përse ne duhet të tregojmë kujdes të veçantë në përdorimin e kartëmonedhave janë të shumta. Mjafton të mendojmë që paraja qarkullon në mënyrë të vazhdueshme; kartëmonedhën që ndodhet sot në xhepin tënd, ti mund t’ia japësh nesër shitëses për të blerë qumësht, ndërsa pasnesër ajo mund të kthehet përsëri tek ti, kur shitësja të të kthejë kusur. Për këtë arsye, nëse dëshiron që gjërat të jenë sa më të pastra e të rregullta me siguri që të pëlqen dhe që paratë që të kthejnë si kusur në një dyqan, të jenë të pastra e të pazhubrosura.

Kartëmonedhat janë pronë e të gjithëve
Paratë janë krijuar që të përdoren nga të gjithë, pra janë një e mirë e të gjithëve. Për këtë arsye ne duhet t’i përdorim me kujdes në mënyrë që ato të jenë në gjendje të mirë kur të bien në dorën e dikujt tjetër. Megjithëse mund të paguash njëlloj si me një kartëmonedhë të re ashtu edhe me një të vjetër, të gjithë preferojmë të paguajmë me kartëmonedhë të mbajtur mirë, që të mos ndihemi në siklet përpara të tjerëve. Kur një kartëmonedhë është e ruajtur mirë, është më e lehtë të dallosh elementet e sigurisë dhe, kështu, të vlerësosh nëse ajo është një kartëmonedhë e vërtetë apo false.

Related

Sistemi i suksesit 7277597236562609480
item